Partia e Demokratëve Europianë (PDE/EDP) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku në ditën e 31-të të protestave policia ka ndërhyrë dhe janë shënuar edhe arrestime.
Në deklaratë theksohet se, nëse konfirmohen bisedat e brendshme të pretenduara mes deputetëve të Partisë Socialiste — ku raportohet se është diskutuar një kërkesë për ndërhyrje të policisë ndaj protestuesve — atëherë kjo do të ngrinte një çështje serioze për një vend që aspiron integrimin në Bashkimin Europian.
Sipas këtij qëndrimi, lind pyetja nëse pushteti politik mund të ushtrojë presion mbi institucionet e rendit kundër qytetarëve.
PDE/EDP nënvizon gjithashtu se protestat paqësore duhet të mbrohen dhe jo të shtypen përmes përdorimit të forcës policore, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtës së tubimit në një shtet që synon standardet europiane.
