Princi Harry ka kryer një vizitë të papritur në Ukrainë, me qëllim që t’u kujtojë njerëzve në vendin e tij dhe në mbarë botën se nuk duhet ta harrojnë luftën e vendit me Rusinë.

Harry u filmua nga “ITV News” ndërsa mbërriti sot në mëngjes, në stacionin hekurudhor të Kievit, duke zbritur nga një tren nga Polonia dhe duke përshëndetur njerëzit në platformë.

“Është mirë të jem sërish në Ukrainë, një vend që po mbron me guxim dhe sukses krahun lindor të Evropës”, tha Harry për gazetën “The Sun”.

“Është e rëndësishme të mos e humbasim rëndësinë e kësaj”, theksoi ai.

Duka i Sussex-it tha për “ITV News” se dëshironte t’u kujtonte njerëzve në vendin e tij dhe në mbarë botën se me çfarë po përballet Ukraina, dhe të mbështesnin njerëzit dhe partnerët që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme çdo orë, çdo ditë, në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Në fjalimin e tij në kryeqytetin ukrainas, si pjesë e Forumit të Sigurisë në Kiev, i cili zhvillohet sot dhe nesër, Harry pritet të përcjellë mesazhin se “bota i sheh dhe i respekton” ukrainasit.

Gjithashtu, sipas Harry, bota nuk duhet të bëhet “e pandjeshme” ndaj luftës apo konflikteve të tjera.

Ai theksoi se, kjo është një luftë për vlera, jo vetëm për territor.

Në fjalim, Duka pritet ta paraqesë Ukrainën si “vijën e parë të vetë demokracisë” dhe të dënojë Presidentin rus Vladimir Putin për “krime lufte sistematike dhe të qëllimshme”.

Vizita e papritur – e treta e tij në Ukrainë që nga nisja e luftës në vitin 2022 – vjen disa ditë pasi ai përfundoi një tur në Australi me bashkëshorten e tij, Dukeshën e Sussex-it.

Udhëtimi i tij në Kiev, vjen gjithashtu katër ditë përpara se babai i tij, Mbreti Charles, të nisë një vizitë shtetërore të rëndësishme në SHBA për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *