Policia e Shtetit njofton edhe një herë qytetarët mbi vijimin e rasteve të mashtrimeve online (phishing), ku persona keqdashës dërgojnë SMS të rreme në emër të institucioneve publike, përfshirë Postën Shqiptare apo platforma të ngjashme me e-Albania.

Në këto mesazhe pretendohet se qytetarët kanë pako për të tërhequr ose detyrime/gjoba për të paguar, duke i drejtuar në linke të rreme që imitojnë faqe zyrtare, me qëllim marrjen e të dhënave personale dhe bankare.

Theksojmë se kjo skemë mashtruese është e njëjtë dhe e përhapur thuajse në të gjithë botën dhe nuk përbën një fenomen të izoluar.

Për këtë arsye, me qëllim parandalimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, përsërisim këtë njoftim publik.

Kujdes:

Mos klikoni në linke të dyshimta të dërguara me SMS ose mesazhe të tjera.

Mos vendosni të dhëna personale apo bankare në faqe të paautorizuara.

Injoroni dhe fshini menjëherë mesazhe të tilla mashtruese.

Verifikoni gjithmonë informacionin vetëm në kanalet zyrtare të institucioneve.

Theksojmë se të dhënat personale dhe bankare nuk vidhen nëse nuk ndërveproni duke klikuar linket e dërguara dhe duke futur vetë të dhënat e tyre në faqet mashtruese.

Tregoni kujdes të shtuar dhe raportoni çdo rast të dyshimtë pranë organeve kompetente.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *