Pesë persona janë arrestuar pasi një jaht që transportonte shtatë persona në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar u ndalua në brigjet jugore të Anglisë.

Duke punuar me Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), oficerët e Forcës Kufitare e ndaluan jahtin sapo ai mbërriti në marinën e Chichester-it në West Sussex, mbrëmjen e së hënës, më 25 maj.

Dy anëtarë të ekuipazhit, një shtetas britanik 42 vjeç dhe një shtetas shqiptar 25 vjeç, u arrestuan me dyshimin për lehtësim të emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Oficerët identifikuan edhe tre persona të tjerë, një britanik 38 vjeç dhe dy shqiptarë 24 dhe 32 vjeç, të dyshuar si pjesë e një “skuadre në tokë” që priste anijen.

Edhe ata u arrestuan me dyshimin për përfshirje në trafikim të njerëzve.

Të pesë personat u morën në pyetje nga hetuesit e NCA. Tre prej tyre u lanë të lirë me kusht, ndërsa dy shtetasit shqiptarë 25 dhe 32 vjeç mbeten në paraburgim për shkelje të ligjit të emigracionit.

Shtatë personat që ndodheshin në jaht, të gjithë shtetas shqiptarë, do të trajtohen nga autoritetet e emigracionit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds