Nën perëndimin e diellit, pranë detit dhe mes fushave të Myzeqesë, Pisha e Llazi Spiros në Shënpjetër u kthye në skenë për edicionin e tretë të “Festës së Pishës Kurorë”, këtë vit me temën “Jazz nën Pishë”.
Aktiviteti solli në vëmendje figurën e Llazi Spiros, patriotit, poetit, këngëtarit dhe luftëtarit të njohur të Myzeqesë, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës.
Në kujtesën popullore ai njihet edhe si “Bilbili i Myzeqesë”, ndërsa Pisha Kurorë, dikur në oborrin e shtëpisë së tij, mbetet sot simbol i kësaj historie.
Mbrëmja kishte edhe një moment të veçantë kushtuar Enrik Mehmetit, pasardhësit të familjes Spiro dhe gazetarit, i ndarë parakohe nga jeta. Përmes një materiali audio-vizual u rikthyen momente nga jeta dhe pjesëmarrja e tij në këtë aktivitet.
Në vijim, një band Jazz solli tingujt e Jazz-it shqiptar, të ndërthurur me motive të muzikës së Myzeqesë.
Një mbrëmje ku historia dhe kujtesa morën jetë përmes muzikës, nën hijen e Pishës Kurorë.
