Përgjime të reja janë publikuar në lidhje me urdhërat që kryebashkiaku Erion Veliaj jep nga paraburgimi i Durrësit, për të intimiduar institucionet në vend. Në përgjimet e fundit, theksohet se Veliaj ka vënë në lëvizje Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë kundër ILD-së. Veliaj i përcjell Maks Haxhisë detyrën që të reagojë profesioni i avokatëve. Sipas porosisë, rezulton se është mbledhur Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë. Pasi dolën rezultatet e diskutimeve nga mbledhja e Këshillit, Avokati i Ajola Xoxës, Maks Haxhia, doli në media dhe sulmoi ILD-në duke folur edhe për nevojën e ndryshimeve ligjore për këtë institucion. Në të tjera përgjime, shihet se kryebashkiaku Erion Veliaj ka komentuar reagimin e KLP-së në mbrojtje të prokurorëve të SPAK, duke e konsideruar atë si anormale. Veliaj thotë se reagimi i KLP-së është i papranueshëm, pasi janë zgjedhur me shumicë mazhorance nga PS-ja në parlament. Për këtë, sipas përgjimeve, angazhon vëllain e tij Arbër Veliaj që të flasë me “miqtë e tij deputetë” që të merren me këtë gjë. Një natë më parë u publikuan po ashtu një pjesë tjetër përgjimesh, ku thuhej se kryebashkiaku Veliaj i kërkon bashkëshortes së tij dhe vëllait të tij që të flasin me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, që të mos transferohet në një IEVP tjetër dhe të shmangë kontrollet që i bëjnë në dhomat e paraburgimit. Për këtë ka kërkuar nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj që të angazhojnë të gjithë të njohurit dhe miqtë që t’ia kërkojnë këtë gjë Ministrit të Drejtësisë. Më tej, kryebashkiaku shpërthen ndaj ministrit Ulsi Manja, ku ndaj tij përdor edhe një fjalor ofendues, duke e quajtur “qelbësirë dhe thotë se nuk do t’ia falë dhe “do ta mbysë me thonj”. Në disa përgjime të tjera, kryebashkiaku nga qelia e burgut i kërkon vëllait të tij, Arbër Veliajt që të merret me mediat. Në përgjime thuhet se Arbër Veliaj orientohet nga Veliaj që të takohet me gazetarët me qëllim që postimet në favor të tij të bëhen gjithmonë e më shpesh. Në përgjimet e publikuaram Veliaj kërkon të vëllait, Arbër Veliajt të flasë me “Klevisin e Burgjeve”. Veliaj kërkon që Klevisit t’i thuhet që në takim me Erionin mund të shkojë “Mero, Manjani, Mondi, Ton Gogu, Admiri edhe Sara”. Sipas përgjimeve të publikuara Veliaj thotë se ka porosi për t’ju dhënë, ndërsa shton se në takime mund të vijnë dhe përfaqësues të feve. Gjithashtu nga komunikimet shihet se Veliaj nga burgu i kërkon Arbrit të merret me mediat dhe fushatën mediatike në favor të tij.