Policia e Vlorës ka goditur tre raste të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytet dhe në zonat bregdetare, duke arrestuar dy persona dhe sekuestruar armë, municion luftarak dhe sasi droge të dyshuara për shitje.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në kuadër të masave të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik.

Në pranga ra shtetasi T.P., 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili rezulton me precedent penal në fushën e narkotikëve. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin dhe banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, një krehër arme, 44 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë të ndarë në doza, e dyshuar si e përgatitur për shitje.

Po ashtu u arrestua edhe A.C., 18 vjeç, banues në Vlorë, i cili u kap në Dhërmi me sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se i posedonte këto lëndë me qëllim shpërndarjen e tyre në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.

Policia bën me dije se kontrollet dhe verifikimet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, me fokus goditjen e veprimtarive të paligjshme gjatë sezonit veror.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds