Tre shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në një rrjet të organizuar të trafikut të kokainës në Britaninë e Madhe, janë dënuar me burg nga Gjykata e Kurorës në Swindon. Të dënuarit janë Daniela Sopiku, 26 vjeçe, Hysen Sopiku, 21 vjeç, dhe Alvaro Vrapi, 18 vjeç. Ata akuzohen për përfshirje në furnizimin me kokainë në disa qytete të qarkut Wiltshire, si dhe për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe fshehjen e të ardhurave nga aktivitetet kriminale.

Daniela Sopiku, e cila më parë banonte në Newport Street, në zonën Old Town, u dënua me 9 muaj burg. Ajo ishte shpallur fajtore për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit dhe, gjatë procesit gjyqësor, pranoi gjithashtu akuzën për përvetësimin dhe përdorimin e pasurisë me origjinë kriminale.

Hysen Sopiku, gjithashtu ish-banor i Newport Street, u dënua me 3 vite burg. Ai pranoi të gjitha akuzat ndaj tij, përfshirë përfshirjen në furnizimin me drogë të klasit A, posedimin e kokainës me qëllim shitjen, mbajtjen e pasurisë së përfituar nga krimi, drejtimin e automjetit pa siguracion dhe në kundërshtim me kushtet e patentës, si dhe posedimin e mjeteve të përdorura për mashtrim.

Ndërsa Alvaro Vrapi, 18 vjeç, i cili nuk kishte një adresë të përhershme, u dënua me 28 muaj burg. Ai pranoi akuzat për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit dhe përfshirjen në furnizimin me drogë të klasit A.

Si u zbulua aktiviteti i grupit?

Sipas policisë britanike, hetimet ndaj tre personave kishin zgjatur për një periudhë të konsiderueshme dhe përfshinin edhe metoda të fshehta hetimore. Përmes tyre, autoritetet zbuluan se grupi ishte përfshirë në shpërndarjen e kokainës në disa qytete të Wiltshire gjatë viteve 2025 dhe 2026.

Në muajin qershor, policia arrestoi Hysen Sopikun dhe Alvaro Vrapin, pasi i gjeti brenda një automjeti tip Nissan Qashqai, teksa dyshohej se po kryenin transaksione droge. Gjatë hetimeve, në disa vende që ata kishin vizituar atë ditë, në Biddestone dhe Giddeahall, pranë qytetit Chippenham, u zbuluan sasi droge me vlerë mbi 11 mijë paund.

Po atë ditë, oficerët arrestuan edhe Daniela Sopikun në zonën Old Town. Gjatë kontrolleve në banesë u gjetën pajisje të lidhura me aktivitetin e drogës, shuma të mëdha parash, produkte luksi të markave të njohura dhe dokumente identifikimi të falsifikuara.

Mes dokumenteve ishte edhe një pasaportë italiane e falsifikuar, e lëshuar në emër të Danielës Sopiku. Autoritetet e emigracionit konfirmuan se dokumenti ishte i rremë. Nga hetimet rezultoi gjithashtu se Alvaro Vrapi kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të hapur llogari bankare, të cilat më pas shërbenin për aktivitetet kriminale.

Mbi 53 mijë paund të ardhura të pajustifikuara

Hetimet financiare zbuluan se tre personat kishin përfituar së bashku më shumë se 53 mijë paund, për të cilat nuk mund të justifikonin burimin. Sipas policisë, asnjëri prej tyre nuk kishte të ardhura nga burime të ligjshme dhe të tre ndodheshin në Britaninë e Madhe në mënyrë të paligjshme.

Duke komentuar vendimin e gjykatës, detektivi Jordan Gratton u shpreh i kënaqur që tre personat u dënuan me burg, duke theksuar se ata kishin qenë përgjegjës për furnizimin me kokainë në komunitetet e Wiltshire. Ai tha se grupi ishte përpjekur të fshihte aktivitetin kriminal përmes dokumenteve të falsifikuara të identifikimit dhe përdorimit të parave të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Sipas tij, hetimi i gjatë dhe përdorimi i metodave të ndryshme operative u mundësuan oficerëve të siguronin prova të forta dhe të ndalonin aktivitetin e grupit. Gratton theksoi se dënimet me burg pasqyrojnë seriozitetin e veprave penale dhe rrezikun që aktiviteti i tyre përbënte për komunitetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *