Apple ka prezantuar një program të ri që u lejon përdoruesve të marrin me qira pajisjet e kompanisë përmes pagesave mujore. Nisma nis në Shtetet e Bashkuara dhe synon t’u japë klientëve një alternativë më fleksibël për blerjen e iPhone, Mac, iPad dhe pajisjeve të tjera.

Programi do të funksionojë në bashkëpunim me platformën e pagesave Klarna dhe do të jetë i aksesueshëm në dyqanet fizike të Apple, në faqen zyrtare dhe përmes aplikacionit Apple Store.

Sipas skemës së re, përdoruesit mund të zgjedhin kontrata 12 ose 24-mujore për modelet e iPhone dhe Apple Watch, ndërsa për Mac dhe iPad afatet shkojnë nga 24 deri në 36 muaj.

Në ofertë përfshihen modelet më të fundit të kompanisë, si iPhone 17, iPhone Air, Apple Watch Series 11, Apple Watch Ultra 3, MacBook Air, MacBook Pro, iMac, Mac Studio, iPad Air, iPad Pro dhe iPad Mini.

Ndërkohë, disa modele më ekonomike si iPhone 16, MacBook Neo, iPad bazë dhe Apple Watch SE nuk do të jenë pjesë e programit të ri.

Apple ka zëvendësuar përmes kësaj skeme programin e mëparshëm iPhone Upgrade Program, duke e zgjeruar mundësinë e pagesave mujore edhe për produkte të tjera të kompanisë.

Opsioni më i lirë për një iPhone përmes leasing-ut nis nga 17.99 dollarë në muaj, ndërsa programi i mëparshëm i përmirësimit të iPhone fillonte nga rreth 42 dollarë në muaj.

Programi vjen në një periudhë kur konsumatorët po i përdorin pajisjet elektronike për më gjatë për shkak të rritjes së çmimeve. Ai prezantohet gjithashtu pak javë para lançimit të gjeneratës së re të iPhone-ve, ku Apple pritet të sjellë edhe modelin e parë me ekran të palosshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds