Deputeti socialist, Erion Braçe kritikoi sot disa prej institucioneve në vend, përfshi edhe ministrinë e Bujqësisë për mos kthim të përgjigjeve lidhur me disa informacione që kishte kërkuar për interpelancat me anëtarë të kabinetit qeveritar.
Duke folur në seancë tha si se megjithëse kishte dërguar kërkesat për informacion për çështjen e kafshëve të braktisura, agjencia përkatëse i kishte kthyer një përgjigje që nuk ka kompetencë për çështjen.
“Sot kanë skaduar afatet për kërkesat për informacion me ministrinë e brendshme, bashkinë e Tiranës, me AMF-në, me AKU-në, të gjitha në funksion të një interpelance me ministrin e Brendshëm, dy interpelannca me ministrin e Infrastrukturës dhe një me ministrin e Bujqësisë. Unë e kuptoj që edhe nëpër zyra shteti ka njerëz që nuk duan ta bëjnë punën, por që të kenë këtë mungesë respekti për Kuvendin, është e tepërt”, tha Braçe.
“I jam drejtuar Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve në kuadër të interpelancës që thashë dhe kam marrë dy përgjigje prej tyre, një prej agjencisë e cila thotë “nuk është kompetencë e imja të kthej përgjigje” dhe një nga ministri që thotë “ nuk dua të bëj interpelancë me ty se nuk e kam kompetencë”. Kam marrë ligjin për shërbimin veterinar që ngarkon ministrinë e Bujqësisë për problematikën që kërkon informacion lidhur me kafshët shoqëruese, të braktisura, shëndetin e tyre dhe mënyrën e trajtimit të tyre”.
“I kam kërkuar të shprehet për kontrollet e ushtruara ndaj organeve të pushtetit vendor. Unë e kuptoj që ka njerëz edhe në qeveri që nuk duan të bëjnë punë e tyre. Unë jam këtu për të bërë punën time. Në qoftë se kjo histori vazhdon kështu që 7 kërkesave nuk u përgjigjet askush, më mirë na thoni të mos bëjmë kërkesë për marrje informacioni, as të mos bëjmë interpelanca. Çfarë e dinë këta Kuvendin e Shqipërisë?”, deklaroi Braçe.
