Një i burgosur 52-vjeçar i identifikuar si Simon Toska, ka humbur jetën në spitalin e Fierit.
Ai ishte i burgosur në Burgun e Fierit, në momentin kur ka filluar të ketë probleme me frymëmarrjen.
Shoku i dhomës ka konstatuar problemin shëndetësor dhe ka njoftuar autoritetet, të cilat kanë marrë masat për ta dërguar në spital, por fatkeqësisht, 52 vjeçari nuk ka mbijetuar.
Në lidhje me vdekjen e të burgosurit ka reaguar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila sqaron se Simon Toska ishte i dënuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Toska u arrestua në vitin 2021 pas një aksioni të Policisë së Fierit, ku u kapën në total 5 persona dhe u sekuestruan 7 kg lëndë narkotike.
Ndër të tjera, Drejtoria e Përgjithshme sqaron se Toska është pranuar në Burgun e Fierit prej gushtit 2021.
Gjatë qëndrimit në institucion ky shtetas nuk ka paraqitur ankesa klinike dhe nuk ka marrë trajtim me medikamente për patologji kronike.
Siç sqaron më tej Drejtoria, i burgosuri ka shfaqur probleme që prej datës 3 maj, ku pas ndihmës mjekësore, ai është ndjerë më mirë.
Ndërkohë, ai ka shfaqur sërish probleme në orët e para të kësaj të enjte, ku infermierët e turnit pasi i kanë dhënë ndihmën e parë, kanë sugjeruar dërgimin me urgjencë për në spitalin e Fierit.
Fatkeqësisht,me gjithë përpjekjet e infermierëve të burgut dhe mjekëve të spitalit të Fierit,shtetasi ka humbur jetën.
