Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke urdhëruar zhbllokimin e fondeve për pagat.

Të njëjtën kërkesë e ka bërë edhe Gjykata e Lartë. Ndërkohë gjykatat e tjera në gjithë vendin po ndjekin të njëjtën rrugë ligjore, duke paraqitur padi dhe kërkesa të veçanta për sigurimin e tyre.

Kërkesat për sigurimin e padisë synojnë zgjidhjen e përkohshme të situatës, në mënyrë që punonjësit e gjykatave të marrin pagat, ndërsa çështja vijon të shqyrtohet në themel në Gjykatën Administrative.

Pranimi i sigurimit të padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll konfliktin në themel. Masa synon të shmangë pasojat e menjëhershme të bllokimit të fondeve dhe të garantojë vijimin e pagesave deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për çështjen.

Në këtë mënyrë, të paktën për momentin, ngërçi financiar që preku gjykatat mund të kapërcehet përmes masave të përkohshme të marra nga gjykata.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds