Gjykata e Fierit ka ndryshuar masat e sigurisë për tre vajzat e përfshira në dhunimin e 17-vjeçares, pas zbardhjes së detajeve të reja dhe kthimit të ngjarjes në një çështje me interes publik. Për 19-vjeçaren është caktuar masa “arrest me burg” pa afat deri në përfundim të hetimeve, ndërsa për 15-vjeçaren gjykata vendosi “arrest shtëpie”. E mitura tjetër e përfshirë po ashtu në ngjarje është lënë në masën e mjekimit të detyruar, pasi sipas burimeve ka shfaqur probleme të shëndetit mendor, të evidentuara edhe pas dhunimit të nënës së saj.
Por dhuna ndaj bashkëmoshatares nuk është e vetmja çështje penale që rëndon mbi tre adoleshentet. Sipas burimeve hetimore ato po verifikohen edhe për përfshirje në vepra të tjera penale, mes tyre një skemë e dyshuar shantazhi ndaj burrave të cilët joshnin përmes rrjeteve sociale dhe i ftonin në hotel. Sipas të dhënave paraprake, pasi personat mbërrinin në dhomë, aty paraqitej një tjetër person që i fotografonte, ndërsa më pas imazhet përdoreshin për t’i kërcënuar dhe shantazhuar.
Në këtë skemë dyshohet se ka rënë edhe një punonjës policie, baba i dy fëmijëve i cili ishte kontaktuar nga njëra prej 15-vjeçarjeve. Burime bëjnë me dije se vajza kishte tentuar ta joshte dhe t’i linte takim në hotel, por polici e kishte takuar vetëm në një lokal. Megjithatë bisedat e shkëmbyera mes tyre dyshohet se janë përdorur më pas për ta intimiduar, me qëllim mbylljen e çështjes penale për rrahjen e 17-vjeçares, nën kërcënimin se komunikimet do të publikoheshin online. Për këtë rast efektivi është përjashtuar nga Policia e Shtetit. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë.
