Në Lushnjë dhe në të gjithë vendin, prania e patrullave të policisë rrugore që ndalojnë drejtuesit e mjeteve për kontrolle rutinë po bëhet gjithnjë e më e rrallë. Që prej muajit prill me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit Skënder Hita, efektivët nuk do të ndalojnë më drejtuesit pa një arsye konkrete.

Qasja e re synon që ndërhyrjet në terren të bazohen vetëm në shkelje të konstatuara apo në dyshime të forta duke shmangur ndalimet e panevojshme dhe duke rritur efikasitetin e kontrolleve.

Ndërkohë Ministri Lamallari thekson se, edhe pse mund të ketë më pak prani fizike të policisë në rrugë, monitorimi nuk mungon. Sipas tij mjetet inteligjente dhe dronët janë të shpërndarë në të gjitha akset nacionale dhe urbane duke identifikuar çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia bën me dije se gjatë fundjavave do të ketë intensifikim të kontrolleve dhe bashkëpunim më të ngushtë me qytetarët për të garantuar rendin publik dhe sigurinë rrugore, sidomos në akset drejt zonave turistike dhe bregdetare, ku fluksi i automjeteve është më i lartë.

Në këtë kuadër strukturat e Policisë Rrugore janë pajisur me teknologji të avancuar, përfshirë shpejtësimatës dhe dronë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds