Çmimet e naftës kanë vijuar të mbeten të larta në tregjet ndërkombëtare, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit shtojnë pasigurinë për furnizimin global me energji. Nafta Brent preku mbi 97 dollarë për fuçi gjatë ditës së djeshme, ndërsa sot është tërhequr lehtë, pranë 95 dollarëve.
Rritja e çmimit ka prekur edhe të naftën e benzinën në Europë. Kjo situatë mund të reflektohet edhe në tregun shqiptar, ku çmimet e karburanteve tashmë janë në nivele të larta.
Në Shqipëri nafta po tregtohet rreth 219 lekë për litër, sipas të dhënave të fundit të publikuara për fundin e gushtit. Krahasuar me korrikun çmimi është rritur ndjeshëm duke e pozicionuar Shqipërinë ndër tregjet me karburantet më të shtrenjta në rajon.
Kjo situatë është veçanërisht e rëndësishme për ekonominë shqiptare, pasi një rritje e mëtejshme e naftës mund të sjellë kosto më të larta për transportin, bizneset dhe prodhimin, ndërsa në mënyrë indirekte mund të ndikojë edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Një tjetër shqetësim është gazi natyror në Europë, i cili ka kaluar 75 euro për megavat/orë, duke prekur nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2023. Rritja e kostove të energjisë po ushtron presion mbi inflacionin dhe tregjet financiare europiane.
Për Shqipërinë, ndikimi i menjëhershëm pritet të ndihet kryesisht përmes çmimeve të karburanteve. Nëse tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë dhe furnizimet globale mbeten të pasigurta, nafta në tregjet ndërkombëtare mund të mbetet nën presion për rritje, duke shtuar shqetësimin për një tjetër valë shtrenjtimi në tregun vendas.
