Ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams është regjistruar zyrtarisht si banor i Njësisë Administrative Nr. 2 në Tiranë, vetëm pak ditë pasi ka përfituar shtetësinë shqiptare.
Sipas njoftimit të bërë publik, Adams ka kryer procedurat e regjistrimit si rezident në kryeqytet dhe, sipas fotove të publikuara, ka aplikuar gjithashtu edhe për pajisjen me pasaportë shqiptare.
Kreu i Njësisë Nr. 2, Florian Pullazi, e ka cilësuar Adams si “banorin më të ri të njësisë”, duke e pritur atë në ambientet e institucionit lokal.
“Eric Adams është një mik i madh i shqiptarëve dhe sot është edhe qytetar shqiptar. Marrja e shtetësisë është një reflektim i lidhjes së gjatë mes Nju Jorkut dhe komunitetit shqiptar në SHBA”, u shpreh Pullazi, duke shtuar se është kënaqësi që ai tashmë është edhe banor i kësaj njësie në Tiranë.
Gjatë kohës si kryebashkiak i New York City, Adams ka shprehur vazhdimisht vlerësim dhe simpati për Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
