Katër anëtarë të dy grupeve të organizuara kriminale, dy prej të cilëve shqiptarë, janë dënuar për një operacion të sofistikuar kontrabande të kokainës nëpërmjet një aeroporti në Britani, pas një hetimi nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).

Sipas NCA të arrestuarit përfshijnë Elton Hallaçin, 32 vjeç, dhe Artur Iseberi, 27 vjeç, të dy nga Shqipëria, të cilët ishin pjesë e një grupi kriminal që mblidhte drogën nga Aeroporti i Mançesterit.

Dy britanikë, Dale Hosker, 49 vjeç, dhe Dale Creen, 35 vjeç, ishin nga një grup tjetër që bënte të njëjtën veprimtari.

Të katërt merrnin kokainën nga korrierët amerikanë dhe më pas e shpërndanin tek kriminelë të tjerë në mbarë Britaninë.

Në maj të vitit 2024, tetë valixhe me kokainë mbërritën në aeroport nga Kankuni, Meksikë. Korrierët amerikanë i morën ato sipas udhëzimeve nga një i dënuar i quajtur ‘Nate’, duke i dërguar më pas tek Hallaçi, Iseberi, Hosker dhe Creen.

Një nga valixhet u la pas dhe oficerët e kufirit gjetën 20 blloqe kokainë prej 1 kg secili. Hetimi i NCA tregoi se shqiptarët morën 100 kg.

Pak më vonë, më 31 maj 2024, 300 kg kokainë me pastërti të lartë, me vlerë rreth 24 milionë paund, u kontrabanduan në 12 valixhe.

Në shtëpinë e Hallaçit, oficerët gjetën çelësa për një Jaguar me një ndërtesë të fshehtë profesionale për kontrabandë. Gjithashtu u zbuluan blloqe shënimesh me regjistrime të detajuara të importimeve, të shkruara në shqip dhe me gjurmë gishti të Hallaçit dhe Iseberit.

Të katërt u kapën edhe në kamerat e sigurisë në Aeroportin e Mançesterit. Kur u arrestuan, Iseberi tentoi të arratisej nga çatia e shtëpisë së tij, ndërsa në dhomën e Creen u gjetën thikë dhe hanxhar.

Dënimet:

Elton Hallaçi: 21 vite e 7 muaj burg

Artur Iseberi: 18 vite burg

Dale Creen: 11 vite burg

Dale Hosker: Dënimi pritet më 1 qershor

Hallaçi, Iseberi dhe Hosker pranuan fajësinë për kontrabandë dhe posedim me qëllim shpërndarje, ndërsa Creen u dënua nga juria për posedim me qëllim shpërndarje, por u shpall i pafajshëm për kontrabandë.

Cat McHugh, komandante e degës NCA, tha: “Kontrabanda e drogës nuk është një krim pa viktima. Ekziston një rrugë e vuajtjes që shtrihet nga vendet e burimit në Amerikën e Jugut deri tek rrugët e qyteteve tona. Tregtia e drogës është e lidhur ngushtë me dhunën ekstreme, dhe viktima të pafajshme shpesh kapen në mes të përleshjeve të grupeve kriminale. Për këta të arrestuar, e vetmja gjë që ka rëndësi është paraja.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds