Ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, ka reaguar ndaj mesazhit fyes të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe zhgënjyes.
Durmishi iu referua një mesazhi të publikuar të Hoxhës, ku ky i fundit pyeste në një grup në WhatsApp “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”.
Durmishi kërkoi një reagim dhe sqarim të menjëhershëm nga autoritetet në Tiranë, ndërsa i bëri thirrje ministrit Hoxha të kërkojë falje publike për gjuhën ofenduese të përdorur ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Reagimi i Besar Durmishit
Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”.
Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kodeks etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti.
I kujtojmë z. Hoxha se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombasit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.
Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut.
