Tregu i punës në Kinë mesa duket nuk është aq premtues nga sa mund të mendohet.

Pronar i fermës, Chu Xiaoyong, tha se u habit kur pa që njoftimi i tij për punë ku kërkohej bari për delet u bë viral, duke arritur rreth 59 milionë shikime në platformën Weibo.

Sipas tij, aplikimet erdhën jo vetëm nga punëtorë ruralë, por edhe nga punonjës zyrash në qytete të mëdha si Shangai dhe Chongqing, punëtorë fabrikash, si dhe të diplomuar në universitete.

Disa aplikantë kanë deklaruar se kërkojnë largim nga stresi i jetës urbane dhe nga kultura e punës intensive, e njohur si “996” (9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes, 6 ditë në javë).

Një nga aplikuesit 28-vjeçare, punonjëse në tregtinë elektronike, tha se e tërheq ideja e një jete më të qetë dhe të izoluar, larg presionit të qytetit. Ndërsa një tjetër kandidat 21-vjeçar, i punësuar më parë në fabrikë, tha se kërkon të largohet nga kushtet e vështira të punës dhe orët e gjata.

Pozicioni ofron rreth 1.000 euro në muaj, së bashku me akomodim dhe ushqim, një shumë që është mbi mesataren e pagave në sektorin privat urban në Kinë. Detyra përfshin kujdesin për mijëra dele në një kullotë prej 20,000 akrash, si dhe punë të vështira fizike gjatë dimrit, kur temperaturat mund të bien nën -30°C.

Në fund, pronari punësoi katër barinj (dy çifte), të gjithë me përvojë të mëparshme në ferma dhe të lindur në vitet 1980. Ai tha se ende ka shumë kandidatë të tjerë, por nuk planifikon të punësojë të rinj nga qytetet e mëdha apo beqarë, duke argumentuar se izolimi i zonës është shumë i vështirë për t’u përballuar.

“Ne jemi në një vend ku mund të mos shohësh askënd për një vit të tërë. Nuk e di nëse të gjithë mund ta përballojnë këtë vetmi,” u shpreh ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds