Me votat e mazhorancës, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike të Shqipërisë për zhvillimin e një interpelance me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me pretendimet për abuzime me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Kërkesa e opozitës u hodh poshtë fillimisht nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili argumentoi se interpelanca nuk mund të përdoret për çështje që janë objekt hetimi penal, pasi kjo do të përbënte ndërhyrje në punën e drejtësisë dhe shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.

Në arsyetimin e tij, Peleshi theksoi se Kuvendi nuk mund të shndërrohet në “gjykatë politike” për çështje që po trajtohen nga organet e drejtësisë, duke shtuar se deputetët nuk mund të kërkojnë përgjigje nga Kryeministri për detaje të dosjeve hetimore, të cilat nuk janë në juridiksionin e ekzekutivit. Ai nënvizoi gjithashtu se referimi i vetëm në raportime mediatike nuk përbën bazë për interpelancë parlamentare, veçanërisht kur çështja është ende në hetim dhe nuk ka një vendim përfundimtar nga autoritetet kompetente.

Sipas Kuvendit, kërkesa e PD-së lidhej me hetime për vepra të rënda penale, përfshirë korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe për këtë arsye duhet të trajtohet vetëm në kuadër të procedurave penale. Pas refuzimit nga Kryetari i Kuvendit, çështja u hodh në votim në seancë plenare. Me 60 vota kundër të mazhorancës, kërkesa e opozitës për interpelancë u rrëzua përfundimisht nga Kuvendi i Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds