Rreth 27 mijë maturantë në gjithë vendin iu nënshtruan sot provimit të parë të Maturës Shtetërore, atij të gjuhës së huaj.
597 maturantë të bashkisë Lushnjë nisën provimin në orën 10:00 në katër shkolla, që plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore, në shkollat “18 Tetori”, “Skënder Libohova”, “4 Dëshmorët” dhe “Vath Korreshi”. Provimi zgjati 2 orë e 30 minuta. Risia në maturën 2025 ishin testet e personalizuara për maturantët që janë me aftësi speciale.
Në qendrat e provimit ishin të pranishëm edhe forcat policore, por edhe pse masat e sigurisë nuk munguan u përsërit skenari i viteve të mëparshëm, teza përsëri është fotografuar dhe është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë publikun e gjerë se provimi i gjuhës së huaj, i Maturës Shtetërore 2025, u zhvillua në kushte të plota sigurie dhe në transparencë të plotë. Akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës së lëndës gjuhë e huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe nuk mund të hedhë poshtë punën e palodhur të mijëra mësuesve, administratorëve dhe punonjësve të strukturave arsimore në të gjithë vendin, që kanë punuar prej muajsh me përkushtim për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon me forcë këtë akt.
Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 10 qershor, Matematikës më 17 qershor dhe provimit me zgjedhje më 24 qershor.