Përfaqësuesit e kompanisë zviceriane MABCO, punimet e së cilës janë bllokuar në aeroportin e Vlorës deklaruan në një konferencë për mediat se kanë investuar deri tani mbi 92 milionë euro në Aeroportin e Vlorës, duke shtuar se kompania e Behgjet Pacollit ka vendosur mbi 152 milionë euro kolateral dhe ka garantuar kredi bankare me vlerë rreth 72 milionë euro për realizimin e projektit.
Shifrat u bënë publike nga këshilltarja e kompanisë, Ornela Çuçi, gjatë një deklarate ku MABCO akuzoi për bllokim të punimeve dhe pengim të proceseve të certifikimit të aeroportit.
Sipas Çuçit, MABCO, që zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA, ka mbajtur barrën kryesore financiare të projektit që nga nisja e tij. “Këto shifra nuk i përmendim për statistikë. I përmendim sepse tregojnë realitetin ekonomik të projektit”, deklaroi ajo.
Sipas MABCO-s, një pjesë e konsiderueshme e financimit të garantuar nga kompania është përdorur edhe nga 2A Group për punimet që kjo e fundit ka kryer në aeroport. Çuçi tha se afro 30 milionë euro nga kredia e garantuar nga MABCO janë përdorur nga 2A Group si punëkryes në kantier.
Në konferencë, MABCO pretendoi se megjithëse ka financuar pjesën më të madhe të projektit, kompania është përjashtuar nga proceset teknike dhe vendimmarrja për aeroportin.
Sipas kompanisë, prej muajsh janë krijuar pengesa për aksesin në kantier, për pjesëmarrjen në mbledhje teknike dhe për procedurat që lidhen me certifikimin e aeroportit.
Ajo tha se aeroporti mund të duket i përfunduar fizikisht, por sipas saj nuk mund të hyjë në operim normal pa sistemet jetike të sigurisë, energjinë, internetin dhe integrimin teknik të pajisjeve.
Në të njëjtën konferencë, MABCO kërkoi auditim teknik të pavarur për pistën dhe infrastrukturën airside, duke pretenduar se ekzistojnë indicie teknike që kërkojnë verifikim të mëtejshëm.
MABCO ka mbajtur peshën kryesore financiare të aeroportit por po mbahet jashtë kontrollit të projektit, pas disa vendimeve absurde të gjykatave që ia kanë lënë kontrollin e kantierit Valon Ademit që ka vetëm 2% të aksioneve. Këto vendime gjykatash janë bërë shkak që inaugurimi i terminalit të Aeroportit të Vlorës të bllokohet kur kishin mbetur edhe pak ditë punë.
