Kuvendi shqyrtoi përsëri sot dhe miratoi në seancë plenare një paketë ndryshimesh ligjore të dakordësuar mes forcave kryesore politike në Kodin Zgjedhor, të cilat e lehtësojnë më tej votimin e shqiptarëve nga jashtë vendit prej nga ata jetojnë.
Këto ndryshime ulin në zero pagesat nga qytetarët dhe sigurojnë një mbulim të plotë sa u takon shpenzimeve postare për votat nga jashtë.
Një tjetër ndryshim ligjor siguron numërimin e votave që do të kthehen nga posta prej një komisioni të balancuar dypartiak.
Po ashtu mirëkuptimi është arritur edhe për sa i takon shkurtimit të afateve për regjistrimin e partive politike dhe kandidatëve në garë, në mënyrë që të fitohen ditë për prodhimin e fletëve të votimit, që do të nisen me postë jashtë vendit dhe të kthehen në kohë pranë KQZ-së.
Disa ndryshime i ka propozuar një grup ligjvënësish nga Partia Socialiste. Kostot e postës për nisjen dhe kthimin e fletëve të votimit mbulohen nga KQZ-ja, e cila bashkë me fletën e votimit për çdo shqiptar të regjistruar nga jashtë vendit do të postojë edhe zarfin e kthimit të saj në vend.
Shpenzimet për votuesit janë zeruar, sado që të jetë numri i tyre. Një komision me katër anëtarë, dy nga shumica dhe nga dy nga opozita.
Ndërsa opozita propozoi një ndryshim ligjor, që të njihen si dokumenta identifikimi shqiptare brenda afatit të vlefshmërisë dhe pavarësisht afatit të vlefshmërisë.
Një grup deputetësh të PD-së propozuan që të njihen si dokumenta identifikimi edhe pasaporta të lëshuara nga SHBA-ja, BE-ja dhe vende të tjera, por kjo mbetet e vetmja pikë, që shumica soialiste nuk ia ka pranuar opozitës si ndryshim në Kodin Zgjedhor, ndërsa për pikat e tjera u gjet mirëkuptimi midis palëve. Opozita shprehu edhe shqetësimin për presione ndaj votës së diasporës.
Për këto ndryshime në Kodin Zgjedhor kishte shprehur shqetësim edhe KQZ-së, si për kostot dhe afatet, ashtu edhe për ankesat në gjykatë nga diaspora deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit janë tashmë vetëm tre muaj larg dhe dy partitë kryesore kanë ndisur një fushatë takimesh me diasporën shqiptare në shumë shtete të tjerë
Diaspora përbën jozyrtarisht afro një të tretën e regjistrit të zgjedhësve, i cili përmban rreth 3.7 milionë votues. Gjatë këtyre viteve nuk u krye reforma zgjedhore e propozuar nga OSBE/ODIHR-it, ekspertët dhe vëzhguesit e të cilës kanë ngritur disa shqetësime mbi zgjedhjet shqiptare si menaxhimi i zgjedhjeve nga komisionerë partiakë, përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë zgjedhore, kërcënime dhe presione ndaj votuesve, bashkë me dyshimet për blerje votash.