Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj protestës së zhvilluar pranë Parlamentit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë, ndërsa disa efektivë mbetën të lënduar. Rama tha se e drejta për të protestuar është e garantuar, por theksoi se përdorimi i dhunës ndaj institucioneve dhe punonjësve të shtetit nuk mund të justifikohet në një vend demokratik. “Cdokush ka të drejtë ta bëjë kontestimin pa u cënuar. Nga ana tjetër, pikërisht sepse gjithëkush ka të drejtë të protestojë, monopolin e forcës në demokraci e ka shteti dhe jo individi. Kush përdor forcë kundër shtetit pastaj, futet në tjetër territor. Pasi demokracia qëndron te ky pakt. Qeveria ka të drejtën të vendosë dhe të gjithë qytetarët bashkë kanë të drejtën ta kontestojnë vendimin e qeverisë. Populli është ai që flet kur vijnë zgjedhjet. Kjo protesta i tregon të gjithë atyre hienave, korbave e sorrave, që rrijnë dhe rrokanisin kokën e miletit çdo natë, që këtu është demokraci, këtu nuk ka rrahje të protestuesve paqësorë” Duke komentuar edhe kundërshtimet ndaj projekteve me investitorë të huaj, kreu i qeverisë u shpreh se zhvillimi ekonomik i vendit nuk mund të ndërtohet duke refuzuar kapitalin e huaj. “Kemi vendosur për të rritur kapacitetet tona për të konkurruar me të tjerët. Nëse të gjitha vendet, autokraci, diktatura, vende demokratike, synojnë rritjen e investimeve të huaja, Shqipëria s’mund t’i konsiderojë investimet e huaja si kërcënim për sovranitetin. Patriotizëm nuk është të refuzosh investimet e huaja. Patriotizëm nuk është të mjaftohesh me çfarë është arritur sot, sepse nëse Shqipëria do mjaftohet me turizmin që ka arritur sot, do të bjerë në një tjetër hendek, në hendekun që kanë rënë vendet që kanë mbetur peng i turizmit masiv” Këto deklarata kryeministri i bëri gjatë një takimi me pensionistët, në ditën e dytë të shpërndarjes së bonusit të posaçëm për të moshuarit. Rama tha se mbështetja financiare nuk lidhet me fushata elektorale, por me angazhimin e qeverisë për të ndarë me pensionistët të ardhurat shtesë të krijuara në buxhet. “Ju kujtohet që vitin e shkuar thanë po e japin bonusin për fushatë. Këtë vit s’kemi fushatë. Bonusi s’ka lidhje me asgjë tjetër, veçse me vëmendjen që ju kemi premtuar. I është shtuar buxhetit fitimet nga të ardhurat prej çmimit të naftës, nuk është mbajtur në buxhet, por është pjesë e bonusit që do marrin pensionistët që nga sot.” Kreu i qeverisë theksoi se të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit të naftës gjatë periudhës së luftës janë rikthyer tek pensionistët përmes bonusit, si pjesë e politikës së qeverisë për mbështetjen e kësaj kategorie.
