Gjermania prej kohësh ka forcuar masat e kontrollit në kufi për emigrantët e paligjshëm që tentojnë të futen ilegalisht në tokën gjermane. Në momentin që emigrantët kapen në kufij ata kthehen direkt në vendin prej nga vijnë.
Media të shumta gjermane raportojnë se katër shqiptarë u kthyen direkt në kufirin me Çekinë. Katër shqiptarët po udhëtonin me një makinë kur u ndaluan në pikën kufitare të Reitzenhain. Të rinjtë nga mosha 25 deri 28 vjeç kishin pasaporta të vlefshme biometrike. Pas një kontrolli të policisë u zbulua se tre prej tyre e kishin të ndaluar të futeshin në BE. Shoferi që po transportonte të rinjtë po hetohet për trafik emigrantësh. Pas përfundimit të kontrollit, shqiptarët u kthyen mbrapsht në Republikën Çeke.
Kancelari, Olaf Scholz njoftoi në fillim të shkurtit se kontrollet në të gjithë kufijtë e jashtëm të Gjermanisë do të mbeten në fuqi edhe për gjashtë muaj të tjerë. Scholz theksoi se qëllimi mbetet kufizimi i imigracionit të parregullt.
Ai shtoi se me kontrollet kufitare në thelb ata duan të zmbrapsin emigrimin e parregullt. Scholz theksoi se që nga 16 shtatori i vitit të kaluar janë refuzuar 47 mijë aplikime për azil. Ai tha se janë arrestuar 1900 kontrabandistë dhe trafikantë.