Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte sot i pranishëm në konferencën e Sindikatave të Bashkuara. Berisha gjatë fjalës së tij tha se sindikata e bashkuar e pavarur e Shqipërisë, ashtu siç qëndroi në krye të përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe demokraci, do të qëndroje dhe në krye të përpjekjeve për të “çliruar” Shqipërinë nga kjo qeverisje. Ai u shpreh se kjo qeveri në vitin elektoral urdhëroi arrestimin e liderëve të tre partive kryesore opozitare. Më tej shtoi se mbrëmjen e djeshme një tjetër kryetar partie opozitare u arrestua në mënyrë brutale në lokalin e tij. Kreu i PD-së, tha se kontrata e firmosur sot me ta do të zbatohet nen për nen brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Berisha tregoi se do të zbatohet për naftën, minierat dhe metalurgjinë. Ndërkohë, kryedemokrati listoi edhe disa elementë kryesorë të programit të PD për 4-vjeçarin që vjen, ku përmendi paketën e dhembshurisë dhe minimumin jetik. Berisha deklaroi se pensionet do të rriten me 20% dhe do indeksohen dyfishin e inflacionit, dhe shtoi se nuk do të ketë më rrogë nën 500euro duke shtuar se do të vendosin pagën për çdo orë pune. Kryetari i PD-së shtoi se pensionistët do të pajisen me kartën e konsumatorit e cila parashikon 450euro zbritje në vit nga çmimet e ushqimeve dhe gjërat bazë. Ai premtoi gjithashtu se me ardhjen e tyre në qeveri do ulin taksat për bizneset në 10 përqind, ku tha se aq është taksa e drejtë. Berisha foli edhe lidhur me tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump, ku tha se me ardhjen e tyre në pushtet do hiqen tarifat ndaj mallrave amerikane dhe e njëjta gjë do ndodhë, sipas tij edhe me qeverinë e SHBA. Duke iu drejtuar sindikatave, kryedemokrati tha se fjala e tyre do dëgjohet dhe do të bashkëpunojnë duke marrë parasysh interesat e tyre.