Gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Uashington, bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, ka marrë një rol të veçantë në përpjekjen për të përcjellë një imazh më të butë dhe më të afërt të Kinës, në një kohë kur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten të tensionuara për çështje si tregtia, inteligjenca artificiale dhe Tajvani. Peng, e njohur në Kinë prej dekadash si soprano dhe këngëtare ushtarake, foli në anglisht me zonjën e parë amerikane Melania Trump pa ndihmën e një përkthyesi. Gjatë një aktiviteti në Muzeun Kombëtar të Artit Aziatik Smithsonian, ajo u shfaq pranë një kori fëmijësh që interpretoi këngën tradicionale kineze “Lulja e Jaseminit”.
Pas performancës, fëmijët iu drejtuan asaj me fjalët “Faleminderit, Nënë Peng!”, ndërsa ajo i duartrokiti dhe mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të vizitës së çiftit presidencial kinez. Sipas Reuters, prania e Peng në këtë vizitë shihet si pjesë e përpjekjes së Kinës për të përdorur “fuqinë e butë”, duke krijuar një atmosferë më pozitive në një marrëdhënie të dominuar nga mosmarrëveshjet diplomatike dhe ekonomike. Ambasadorja kineze në SHBA, Xie Feng, publikoi gjithashtu pamje nga aktiviteti dhe vlerësoi rolin e Peng në promovimin e shkëmbimeve kulturore. Ajo shkroi se Peng kishte inkurajuar adoleshentët amerikanë të vazhdonin të mësonin gjuhën dhe kulturën kineze dhe të shërbenin si “ambasadorë të miqësisë” mes dy vendeve.
Analisti gjeopolitik Joe Mazur, nga firma konsulente Trivium China me bazë në Pekin, tha se Peng ndihmon për t’i dhënë “një fytyrë më njerëzore” diplomacisë së vështirë mes Uashingtonit dhe Pekinit dhe krijon momente pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.
Pavarësisht vëmendjes që ka marrë gjatë qëndrimit në SHBA, aktivitetet dhe paraqitjet e Peng Liyuan vazhdojnë të jenë relativisht të kufizuara në mediat sociale kineze. Kjo lidhet edhe me profilin tradicionalisht të ulët që kanë mbajtur bashkëshortet e udhëheqësve të lartë kinezë. Prania publike e grave të liderëve kinezë është trajtuar me kujdes në dekadat e fundit, veçanërisht për shkak të përvojës së Jiang Qing, bashkëshortes së Mao Ce Dunit dhe një prej figurave kryesore të “Bandës së të Katërve” gjatë Revolucionit Kulturor. Peng Liyuan, në të kundërt, është shfaqur kryesisht në aktivitete kulturore, sociale dhe humanitare, duke ruajtur një profil që lidhet më shumë me artin dhe diplomacinë publike sesa me politikën e drejtpërdrejtë.
Peng Liyuan u bë e njohur në Kinë fillimisht si soprano dhe këngëtare e njohur e skenës ushtarake. Ajo ka pasur një karrierë të gjatë artistike përpara se Xi Jinping të merrte postin e presidentit të Kinës. Në vitet e fundit, ajo është angazhuar edhe në kauza sociale, përfshirë fushata ndërgjegjësimi për HIV/AIDS, ndërsa paraqitjet e saj në skenën ndërkombëtare janë përdorur shpesh për të përcjellë elementë të kulturës kineze. Peng dhe Xi Jinping kanë një vajzë, e cila ka studiuar në Universitetin e Harvardit. Gjatë vizitës së Xi Jinping në Uashington, prania e Peng Liyuan i ka dhënë programit një dimension kulturor dhe simbolik, në një kohë kur presidentët amerikan dhe kinez po diskutojnë çështje të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy fuqive.
