Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk do të marrë pjesë në funeralin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladiç, i dënuar në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Vuçiç deklaroi se ditën kur Mladiç do të varroset në varrezat e Beograd, ai do të jetë në një takim zyrtar me presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, vizita e të cilit, sipas tij, ishte planifikuar prej katër muajsh. “Kam një vizitë zyrtare të presidentit të Uzbekistanit gjatë gjithë ditës të hënën dhe të martën, të planifikuar katër muaj më parë”, u tha Vuçiç gazetarëve, kur u pyet nëse do të merrte pjesë në funeral. Presidenti serb tha se kishte biseduar me familjen e Mladiçit dhe se organizimi i ceremonisë ishte në dorën e tyre. “Bëra gjithçka të nevojshme dhe të mundshme që ceremonia mortore të zhvillohej në mënyrë dinjitoze, në një mënyrë serioze dhe të përgjegjshme për shtetin.”, deklaroi Vuçiç. Trupi i Ratko Mladiçit mbërriti në Serbi më 3 shtator, ndërsa autoritetet serbe presin që në funeral të marrin pjesë dhjetëra mijëra persona. Mladiç vdiq më 27 gusht, në moshën 83-vjeçare, ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm në një qendër paraburgimi të Kombeve të Bashkuara në Hagë. Ish-komandanti serbo-boshnjak u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për rolin e tij gjatë luftës në Bosnje, në vitet 1992-1995. Ai u dënua për përgjegjësinë në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë, si dhe për rrethimin 43-mujor të Sarajevës, gjatë të cilit humbën jetën rreth 10 mijë persona, krime të cilat I kanë dhënë dhe pseudonimin kasapi I ballkanit.
