Mediat amerikane kanë raportuar më herët gjatë ditës së sotme se Mike Waltz ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si këshilltar i sigurisë kombëtare. Në raportimet e mediave thuhet se edhe zëvendësi i tij, Alex Wong, gjithashtu do të largohet nga detyra e tij. Fillimisht u raportua se arsyeja e largimit të Waltz ishte përfshirja në skandalin ku rrodhën informacione në bisedën në aplikacionin “Signal”, lidhur me sulmet ushtarake amerikane në Jemen. Waltz ishte ai që mori përgjegjësinë e plotë mbi skandalin ku redaktori i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, u shtua në bisedën në Signal me zyrtarë të lartë të administratës Trump, ku sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth ndau detaje rreth sulmeve amerikane në Jemen. Ndërkohë, pak orë më parë presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi përmes një postimi në “Truth Social” se do të caktojë Mike Waltz për të shërbyer si ambasador në OKB, duke e larguar kështu nga roli i tij si këshilltar për sigurinë kombëtare. Marco Rubio do të jetë ai që tani do të shërbejë njëkohësisht si sekretar i Shtetit dhe këshilltar i sigurisë kombëtare. Kjo nuk është hera e parë që Rubios i kërkohet papritur të mbushë një vend të lirë në administratën e Trump. Në shkurt, Trump shkarkoi Arkivisten Kombëtare Colleen Shogan, duke emëruar më vonë Rubion për të mbushur këtë rol. Po atë muaj, Trump emëroi Rubion si administrator në detyrë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID, një agjenci që ai po planifikon ta mbyllë si pjesë e përpjekjeve të administratës për të ulur shpenzimet. Henry Kissinger më parë shërbeu njëkohësisht si sekretar i Shtetit dhe këshilltar i sigurisë kombëtare nën presidentin e atëhershëm Richard Nixon. Lidhur me lëvizjet e tij të fundit ka reaguar dhe vetë Mike Waltz përmes një postimi në platformën”X”, ku shkruan se ndihet i nderuar që vazhdon t’i shërbejë presidentit Donald Trump.