Kamarieri i lokalit ku ndodhi ngjarja tragjike në Durrës rrëfeu detaje nga momentet që çuan në vrasjen e dy personave, duke përshkruar se si një debat për një kafe përfundoi në përdorimin e armëve.
“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë.
Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”– tregon kamerieri.
Ngjarja:
Dy të rinj janë vrarë me armë zjarri pas një konflikti në Manëz. Ngjarja e rëndë ka tronditur orët e para të mëngjesit të sotëm Manzën në Durrës.
Rreth orës 01:45, pranë një karburanti, një konflikt i çastit dyshohet se përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit dhe me humbjen e jetës së dy personave.
Viktimat janë identifikuar si Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Sipas të dhënave paraprake nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se pas një përplasjeje për motive banale, Flori Paluçi është qëlluar për vdekje nga shtetasi Daniel Pepa, 21 vjeç, gjithashtu banues në Manëz.
Ndërsa viktima tjetër, Aranit Kurti, dyshohet se është vrarë nga vetë Flori Paluçi, pak para se ky i fundit të mbetej i vdekur në vendngjarje.
Policia e Durrësit ka nisur kontrollet për kapjen e shtetasit Daniel Pepa, i cili aktualisht është në arrati.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës, po punon në vendngjarje për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe për të administruar çdo provë që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje të dyfishtë.
