24 vjeçari E.N. është arrestuar në fshatin Cakran, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2021 në Genova.

Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët italianë, nëpermjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 38”, lokalizuan në fshatin Cakran, Fier, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin Erbin Nazeraj, 24 vjeç.

Sipas hetimeve të karabinierëve, në gusht të vitit 2021, i riu ndoqi një 75-vjeçare italiane pasi i kishte bërë ngacmime të vazhdueshme brenda një autobusi. Më pas, i riu e ndoqi të moshuarën deri në banesën e saj, ku hyri me forcë, e goditi dhe më pas e përdhunoi atë. Para se të largohej, ai i vodhi edhe celularin të moshuarës.

Gjykata e Apelit në Gjenova, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë, për keqtrajtim dhe për vjedhje.

Por i riu ishte zhdukur dhe nuk ishte gjendur nga autoritetet italiane.

Hetimet vazhduan dhe u zbulua vendndodhja e tij në Fier. Ndaj tij u lëshua një mandat arresti europian dhe policia shqiptare ka bërë të mundur arrestimin e tij. Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds