Baza taktika ajrore e NATO-s në Kuçovë inagurohet më 4 mars, ditë kur pritet që drejt Shqipërisë të udhëtojnë përfaqësues të lartë të aleancës ushtarake dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Baza do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s. Pak ditë para përurimit, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo sqaron funksionet që do të kryhen nga kjo bazë. Dimo: “Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare. Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”. Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të japë një kontribut pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken u shpreh se baza ajrore e Kuçovës nënvizon angazhimin që Shqipëria ka ndaj NATO-s dhe NATO ndaj Shqipërisë.