Viti i ri shkollor 2023-2024, ka startuar sot në të gjitha institucionet arsimore publike dhe jopublike të Bashkisë Fier. Dita e parë e vitit të ri shkollor i gjeti rrugët e qytetit me trafik të rënduar, ndërkohë që Policia Rrugore ka marrë të gjitha masat për menaxhimin e tij. Këtë vit të ri shkollor në institucionet arsimore nën juridiksionin e ZVAP Fier, të gjitha shkollat janë të hapura ndërkohë që asnjë shkollë nuk do të mbyllet. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të ulët, ku pëfshihen të gjitha shkollat 9-vjeçare është 7115 nxënës, kurse numri i nxënësve në arsimin e mesëm për këtë vit arsimor është 3014 nxënës. Klasën e parë do të frekuentojnë këtë vit 818 nxënës. Janë plot 10947 nxënës që do të nisin vitin e ri arsimor 2023-2024 në 54 shkolla, 52 plus 2 shkolla profesionale, kurse shkollat vartëse janë 10. Nga të dhënat e marra pranë DRAP, për këtë viti shkollor janë 21 mësues në Fier dhe 9 mësues në Mallakastër që u zgjidhet kontrata për arsye se mbeten pa normë mësimore.
Ndërkohë këtë vit akademik, siguria e nxënësve do të ketë një vëmëndje të veçantë në kuadër të paketës së sigurisë. Në këtë fillim viti shkollor ka 2700 nxënës më pak, një reduktim i ndjeshëm i numrit të nxënësve veçanërisht në shkollat e zonave rurale krahasuar me vitin e mëparshëm mësimor. Ky fenomen gjithashtu vihet re edhe në numrin e ulët të fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ku mesatarisht në të gjitha bashkitë e qarkut, përveç Fierit arrin në 150. Gjithashtu bëhet me dije së Bashkia Fier ka siguruar transportin në të gjitha shkollat pritëse, ndërsa janë shpërndarë librat falas për të gjitha shkollat.