Teatri “Bylis” ka çelur sezonin e dytë teatror për vitin 2026, me një program që përfshin 6 premiera dhe 2 rivënie. Sipari u ngrit mbrëmjen e 9 shtatorit me komedinë “Iluzione bashkëshortore”, të Eric Assous, me regji dhe skenografi të Artan Imamit. Në skenë u ngjitën aktorët Indrit Çobani, Andia Xhunga dhe Donald Shehu. Shfaqja u rikthye edhe mbrëmjen e 10 shtatorit.
Për regjisorin Artan Imami, në qendër të komedisë është sinqeriteti mes çiftit, ndërsa përgjigjen spektatori e merr përmes shfaqjes.
Për aktoren Andia Xhunga, hyrja në mentalitetin e personazhit nuk ishte e lehtë, por pritja e publikut ishte pozitive.
Sezoni vijon me produksione të reja nga regjisorë të njohur të teatrit shqiptar. Xhuliano Briskaj sjell premierën “Mama”, Besmir Bitraku komedinë “Për një fjalë goje”, Andia Xhunga “Prindër të dashur”, ndërsa Kiço Londo premierën “Zonja e bujtinës”.
Sipas drejtoreshës së Drejtorisë së Artit dhe Kulturęs prane bashkisę Fier, Adriana Mile, një vend të rëndësishëm do të ketë edhe trupa e aktorëve të “Bylis”-it, e cila do të sjellë dy premiera të reja nën regjinë e Astiano Shehajt.
Krahas premierave, në repertor rikthehet edhe komedia “24 orë nga jeta e një votuesi”, me regji të Driada Dervishit.
Me një program që bashkon premiera dhe rivënie, Teatri “Bylis” synon të mbajë të gjallë aktivitetin skenik dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me publikun fierak gjatë gjithë sezonit.
