Një ditë pas ekzekutimit të 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të njësisë administrative Postribë, policia e Shkodrës vijon hetimet për ngjarjen, ndërsa në dritë kanë dalë detaje të reja.
Sipas grupit hetimor, të riut ju zu pritë afro 2 km larg banesës së tij. Ka qënë qeni i policisë që ka ndjekur gjurmët, duke i çuar ekspertët deri në një distancë të caktuar.
Megjithatë ky detaj nuk ndihmon shumë në identifikimin e autorit, pasi në zonë mungojnë kamerat e sigurisë.
Autori ose autorët e kanë patur këtë informacion, duke zgjedhur brendësinë e fshatit për të kryer krimin, ku breshëria e plumbave në drejtim të automjetit tip Benz, me të cilin lëvizte viktima, i ka marrë jetën Ramazan Matajt.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, por policia e ka zbuluar afro 8 orë me vonesë, vetëm pas njoftimit të banorëve të zonës që në orët e para të mëngjesit kanë konstatuar viktimën brenda në makinë.
Policia ka përjashtuar mundësinë që vrasja e 33-vjeçarit të jetë e lidhur me veprimtari të paligjshme, pasi Mataj nuk rezulton person me precedent penal as në Shqipëri e as jashtë vendit.
Sipas burimeve policore, një nga pistat kryesore që po shqyrtohet është ajo e një konflikti personal.
Si provë materiale është sekuestruar edhe telefoni i viktimës, për të mësuar itinerarin e tij, para se sa të vritej dhe ndonjë telefonatë apo mesazh që mund të ketë marrë në këto orë.
Vetë babai i viktimës dhe të afërmit që janë marrë në pyetje kanë mohuar të kenë konflikte me njeri dhe nuk kanë dijeni mbi ndonjë emër të mundshëm që mund të ketë kryer krimin.
Pritet që në pyetje të merret edhe i vëllai i viktimës, që jeton në Belgjikë. Edhe vetë 33-vjecari deri përpara një viti ka jetuar në Belgjikë, ndërsa me kthimin në Shqipëri, ka punuar në Ulqin në sektorin e ndërtimit.
