Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme ka nisur zbatimin, por një prej pikave të saj ka sjellë kundërshtimin e Dhomës së Avokatisë. Bëhet fjalë për kufizimet mbi mbajtjen dhe përdorimin e celularëve në sallat e gjyqit, që sipas avokatëve prek mënyrën e ushtrimit të profesionit.

Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, së bashku me kreun e Dhomës së Avokatisë Tiranë, Klodian Skënderi, u shfaqën në një deklaratë për shtyp pas nisjes së zbatimit të rregullores.

Haxhia e konsideron problem faktin që rregullorja është hartuar pa konsultim me Dhomën e Avokatisë.

 “Ndjehemi jo vetëm të lënduar, por dhe të ofenduar që përgatitet një rregullore, një akt i tillë, i cili kufizon haptazi të drejtën e mbrojtjes për të ushtruar profesionin e avokatit në sallat e gjyqit. Ajo që shpresonim ishte që të paktën të konsultohej me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë.”-tha ai.

Një tjetër problem i ngritur lidhet me kushtet brenda godinës së gjykatës. Haxhia vlerëson rikonstruksionin e ambienteve, por kërkon hapësira të posaçme ku avokatët të mund të qëndrojnë gjatë pritjes së seancave.

“Përshëndesim rikonstruksionin që u bë godinës, sallat e tjera, por me keqardhje konstatojmë që s’ka një ambient ku avokatët të rrinë gjatë seancave dhe kjo tregon dhe një herë vlerësimin që ka ky institucion dhe i gjithë sistemi për institucionin e avokatisë.”-theksoi Haxhia.

Në fokus të kundërshtimit janë edhe nenet që kufizojnë përdorimin e celularit në sallën e gjyqit. Sipas Haxhisë, çështja nuk lidhet me përdorimin e telefonit për komunikim, por me funksionin e tij si mjet pune.

“Në katër nene, në tre nene ekzaktësisht, kufizon përdorimin e celularit. Mbajtjen dhe përdorimin e celularit në sallën e gjyqit. Jo në aspektin për të folur, sepse është tjetër gjë për të folur, por për të përpunuar dhe për ta administruar dhe sjellë në dobi të ushtrimit të profesionit të avokatit.”-nënvizoi ai.

Për Dhomën e Avokatisë, telefoni është tashmë pjesë e punës së përditshme të avokatit, sidomos për administrimin e dokumenteve dhe informacionit gjatë procesit gjyqësor. “Celulari është një studio e lëvizshme e jona, e cila është në çdo kohë në dispozicion. Edhe kur jemi me pushime, edhe kur jemi jashtë Tirane në udhëtim, ne e kemi mjet pune me të cilin mbajmë lidhje.”-u shpreh avokati.

Dhoma e Avokatisë nuk ka zgjedhur për momentin përplasjen institucionale, por ka kërkuar rishikimin e pikave që konsiderohen problematike.

Kërkesa është bërë duke iu referuar nenit 158 të vetë rregullores, që parashikon mundësinë e rishikimit të dispozitave gjatë zbatimit të saj.

“Ne për të qenë korrektë, kemi bërë sot bashkë me kryetarin, bëmë një kërkesë për rishikim sipas nenit 158 të kësaj rregulloreje, ku i njihet e drejta titullarit që të bëjë rishikimin për çdo nen ku has vështirësi ose problematikë në zbatimin e saj.”-tha Haxhia.

Tashmë Dhoma e Avokatisë pret një përgjigje nga drejtuesit e gjykatës. Në fundjavë pritet të mblidhet edhe Komiteti Drejtues, ku do të përcaktohen hapat e mëtejshëm.

Në qëndrimin e saj, Dhoma e Avokatisë e lidh çështjen edhe me median, duke e parë aksesin e avokatëve dhe transparencën e procesit gjyqësor si pjesë të një debati më të gjerë për funksionimin e drejtësisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *