Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme, ku ka dhënë shpjegime lidhur me çështjen që ka në qendër gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka. Pas daljes nga ambientet e SPAK, ai ka dhënë një deklaratë për mediat, në të cilën ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë rast. Berisha ka deklaruar se kallëzimi i tij ndaj gjyqtares Irena Gjoka synon ndëshkimin ligjor, të cilën e cilësoi si një person që ‘përbën turpin e njeriut’. Lideri i opozitës u shpreh se ky është kallëzimi i parë që ai ka bërë në jetën e tij, ndërsa sipas tij Gjoka përbën turpin e njeriut, turpin e zyrtarit dhe punonjësit, turpin e juristit dhe të gjyqtarit. Më tej ai deklaroi se Irena Gjoka, e cila sipas tij ka katër mbiemra, ka të vërtetuara dy dëbime nga Greqia dhe dy falsifikime. Më tej, ai pretendoi se ajo ka të vërtetuar një dënim penal dhe falsifikimet e të gjitha formularëve në të cilët kjo nuk i ka pasqyruar këto dënime. Ai tha se Gjoka ka shfrytëzuar pozitën, ka nxjerrë tre pasaporta, ka ndryshuar mbiemrin dhe nuk ka dorëzuar asnjë pasaportë në komisariat si dhe nuk ka njoftuar asnjë humbje pasaportash. Berisha akuzoi edhe prokurorin Altin Maneku për mosveprim dhe pretendoi se ai kishte dërguar çështjen në gjykatë pa marrë parasysh faktet që sipas tij, lidhen me deklarimet e gjyqtares në formularët e vetingut dhe të dekriminalizimit. Një moment tensioni ndodhi gjatë deklaratës së tij, pasi lideri demokrat u përplas me gazetaren Klodiana Lala. I pyetur nga gazetarja Klodiana Lala nëse kishte dorëzuar dokumentacion për këtë çështje, Berisha u shfaq i irrituar nga pyetjet dhe reagoi ashpër ndaj saj. Pas kësaj, Berisha iu drejtua gazetares duke i thënë se hiqet si infomatore, ndërsa e pyeti edhe se ku i merrte te dhënat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *