Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pajisur me vizë amerikane dhe pritet të udhëtojë javën e ardhshme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë me dije se Berisha është njoftuar për miratimin e vizës, ndërsa pritet që pasaportën ta tërheqë gjatë paradites së nesërme në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë.
Vizita pritet të zhvillohet në Teksas, ku Berisha synon të marrë pjesë në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane për zgjedhjet “midterm”.
Ai pritet të jetë pjesë e një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar.
Në udhëtim pritet ta shoqërojnë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, si dhe Enri Ceno, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike.
Lajmi për pajisjen me vizë vjen vetëm pak orë pasi Berisha kishte bërë me dije se pasaporta e tij ndodhej ende në Ambasadën Amerikane dhe se nuk kishte marrë njoftim për përfundimin e procedurës.
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha kishte sqaruar se vizita në SHBA lidhej me pjesëmarrjen në konferencën e republikanëve në Teksas.
“Unë shkoj në Teksas në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane për zgjedhjet mid-term. Unë jam në një delegacion të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, që jam i ftuar për të marrë pjesë në këtë konferencë. Nuk kam pasur njoftim nga Ambasada Amerikane se kur do e marr vizën”, u shpreh Berisha.
