Bashkia e Lushnjës është përfshirë në një projekt i cili synon rritjen e kapaciteteve dhe bashkëpunimit midis faktorëve falë një programi të detajuar në lidhje me emergjencat civile. Në këtë projekt program që do të implementohet në vijim janë përcaktuar detyra konkrete për përballimin, por edhe parapritjen që mund t’i bëhen fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.
Në ambientet e Muzeut Historik të qytetit ky projekt program ju prezantua edhe pjesëtarëve të administratës publike si dhe aktorëve të tjerë.
Përgjegjësi i Sektorit Zjarrfikës zoti Xhezmi Metushi u shpreh se për të vënë në jetë projekte të tilla duhet bashkëpunim midis strukturave përkatëse.
Specialistja e projektit zonja Entela Kaleshi theksoi rëndësinë në përballimin e rasteve të emergjencës edhe evidentimin në kohë të zonave të riskut për më shumë efektivitet në raste emergjencash civile.
Ky projekt ku është përfshirë edhe Bashkia e Lushnjës dhe Qarku Fier vjen në fillimin e stinës së nxehtë të verës, ku rreziku nga zjarret është i madh. Në vitet e fundit disa nga zjarret e rëna në territorin e bashkisë Lushnjë kanë rezultuar me shumë dëme pavarësisht përpjekjeve të Sektorit Zjarrfikës, pasi banorët kryesisht në zona rurale ndezin zjarre të cilët dalin jashtë kontrollit.