Banorët e zonave të përmbytura në Fier vijojnë të përballen me pasojat e daljes së lumenjve nga shtrati, ndërsa riparimet e pjesshme të argjinaturave nuk u japin siguri për përmbytjet e radhës.
Përmbytjet e përsëritura në të njëjtat zona kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe tokat bujqësore, duke rikthyer shqetësimin për sigurinë e argjinaturave.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Bordit të Kullimit Fier po vijon rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara nga përmbytjet e fundit të vitit 2025 dhe janarit 2026. Ndërhyrjet kanë nisur në Goriçan, Suk dhe Belinë, përgjatë lumit Seman, ndërsa është kërkuar edhe ndërhyrje emergjente në argjinaturën e Ndërnënasit, në Libofshë.
Argjinatura e Semanit mbetet sfida kryesore, pasi kërkon rehabilitim të plotë për t’i bërë ballë prurjeve të mëdha dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës.
Pavarësisht ndërhyrjeve të raportuara, argjinaturat në qarkun Fier kanë nevojë për investime madhore dhe rehabilitim të plotë, për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve që çdo vit rëndojnë mbi qytetarët dhe buxhetin e shtetit.




