Një lokal është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Karbunarë të Lushnjës. Biznesi që ndodhej në anë të rrugës është shkrumbuar plotësisht, pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve.
Kanë qenë familjarët ata që kanë konstatuar fillimisht flakët dhe kanë kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës. Për shkak të materialeve plastike dhe të tjera lehtësisht të djegshme që ndodheshin në lokal, zjarri është përhapur me shpejtësi duke e bërë të pamundur shpëtimin e objektit.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe pronarët të cilët nuk kanë mundur të ndërhyjnë për të ndalur flakët dhe kanë parë biznesin e tyre të shkrumbohej.
Sipas të dhënave paraprake nga shërbimi zjarrfikës dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike. Megjithatë ekspertiza shkencore e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me zjarrfikësit do të përcaktojë zyrtarisht rrethanat dhe shkakun e rënies së zjarrit.
Lokali ndodhet në qendër të njësisë administrative Karbunarë, në një distancë nga banesat e tjera, ndaj nuk ka pasur rrezik për përhapjen e flakëve në objekte të tjera. Ndërkohë policia nuk ka evidentuar deri tani indicie për zjarrvënie të qëllimshme.




