Një 38-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Han të Hotit. Arrestimi i tij mësohet se ka ardhur pas një kontrolli të detajuar në mjetin e Anton Donovic.
Policia bën me dije se gjatë kontrollit në mjet u gjetën rreth 1 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. 38-vjeçari akuzohet për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë:
PKK Hani i Hotit/ Sekuestrohet rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa, automjeti dhe 1 celular. Në vijim të punës intensive që po kryhet nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Hani i Hotit, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në bazë të analizës së rriskut u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjeti me drejtues shtetasin Anton Donovic.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë Kufitare të Hanit të Hotit gjetën rreth 1 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Në lidhje me këtë rast u njoftuan Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, të cilët në përfundim të veprimeve të para procedurale bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., 38 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.