Një person është vënë në prangat e policisë së Durrësit ditën e sotme për disa vepra penale. 37-vjeçari me emrin Ergys Vogli akuzohet nga policia për kanosje, marrje prone si dhe trafikim të lëndëve narkotike. 

Vogli u vu në pranga, pasi dy javë më parë ka kanosur një person dhe i ka marrë automjetin, pasi pretendonte se i kishte para borxh. Ndërkohë që gjatë arrestimit iu gjetën dhe disa doza kanabis gati për shitje dhe një sasi municioni luftarak.  

Njoftim i Policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Debt”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim. 2 javë më parë, kanosi një shtetas dhe i mori automjetin, sepse pretendonte se i kishte borxh një shumë parash, kapet dhe ndalohet 37-vjeçari. Në momentin e ndalimit, në banesën e këtij shtetasi u gjetën një sasi Cannabisi e ndarë në doza gati për shitje, dhe një sasi municioni luftarak. Sekuestrohen dozat e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike dhe municioni luftarak.

Në vijim të kontrolleve të bazuara te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin policor të koduar “Debt”.

Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi E. V., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se më datë 17.01.2025, me anë të kanosjes dhe shtrëngimit, i ka marrë automjetin një shtetasi, sepse pretendonte se ky i fundit i kishte borxh 1200 euro. Më tej, nga kontrolli në banesën e 37-vjeçarit, u gjetën doza të lëndës narkotike Cannabis Sativa, të gatshme për shitje, sende nëpërmjet të cilave ndaheshin dozat dhe një sasi fishekësh kallashnikovi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds