Një 33-vjeçar shqiptar me emrin Almir Gjidiaj është vënë në pranga nga autoritetet kolumbiane. Arrestimi i shqiptarit ka ardhur pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga GJKKO si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikimin e armëve. 

Policia bën me dije se 33-vjeçari u vendos në pranga në qytetin e Kartagjenës. Roli i të arrestuarit ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi. 

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit/ Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët me partnerët, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar. Operacioni i koduar “Kartagjena”, rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Kolumbisë, për vendndodhjen e një të kërkuari nga drejtësia shqiptare.

Kapet nga Policia kolumbiane, në qytetin e Kartagjenës, 33-vjeçari nga Tropoja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një organizatë kriminale për trafikim të armëve. Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Kolumbisë, nëpërmjet Interpol Tiranës, në kuadër të operacionit policor “Kartagjena”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar në qytetin e Kartagjenës, nga Policia kolumbiane, shtetasi A. Gj., 33 vjeç, lindur në Tropojë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e akuzon si pjesëtar të një organizate kriminale për trafikimin e armëve. Roli i tij kryesor ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit A. Gj., në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds