Kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar.

Berisha u shpreh se duhet të ndëshkohen të gjithë ata që urdhëruan dhe ushtruan dhunë ndaj qytetarëve gjatë protestës para Kuvendit pak ditë më parë.

“Java u karakterizua nga një dhunë, nga një egërsi çnjerëzore për të mos thënë edhe shtazore e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe falangave të tyre ndaj protestuesve paqësorë.

Para shqiptarëve, para gjithë botës u pa se si ndaj një grupi protestuesish paqësorë, falangat e narkopolicisë u vërsulën me brutalitet dhe tërbim të papërmbajtur.

Me gaz lotsjellës të skaduar, me spraj speci të përdorur për arinjtë, me topa uji, me shqelma në kokë, me gurë.

Me të gjitha mjetet, ndaj vajza dhe djemve të cilët dhunën më maksimale e patën hedhjen e vezëve dhe qeseve me miell drejt deputetëve.

Dhuna e përdorur nga narkopolicia ndaj protestuesve ishte dhuna më hakmarrëse, më primitive. Në të gjithë botën, politikanët janë gjuajtur me vezë, me miell, etj”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se sipas tij, shumica e policëve nuk kanë pasur lëndime serioze dhe se një pjesë e pretendimeve për dhunë janë “të ekzagjeruara”. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve dhe ndëshkimin e atyre që, sipas tij, kanë urdhëruar dhe ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

Tek ajo hyrje janë gjuajtur edhe gjatë periudhës kur kemi qenë ne, por nuk ka ndërmarrë kush një operacion të tillë të egër, brutal, duke i qëlluar me shqelma në kokë protestuesit e rrëzuar përdhe.

Duke i rrahur dhe torturuar edhe në makinat e policisë. Në një akt kriminal, u përpoqën të simulojnë plagosje të policëve, në një kohë kur ato ishin të gjitha fake.

Jam interesuar atë ditë gjatë gjithë kohës me mjekë dhe me mundësi të tjera, absolutisht të gjithë policët që janë dërguar aty, përveç njërit që ka shkuar në QSUT për një problem tjetër, jo për goditje, të tjerët kanë qenë të gjithë vetëm e vetëm për të akuzuar protestuesit se kanë ushtruar dhunë me gjëra qesharake krejtësisht të parëndësishme.

Aq e vërtetë kjo, saqë u arrit të kapet edhe dëshmitari i rremë, i cili nga shtrati i spitalit u gjet duke shkelmuar protestuesit pasi luajti rolin e të plagosurit.

Sot ata dalin para gjyqit. Unë kërkoj në emër të PD, lirimin e tyre të menjëhershëm dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që ushtruan dhe urdhëruan një dhunë ndaj protestuesve paqësorë”, u shpreh Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds