Një model i ri i inteligjencës artificiale ka vënë në alarm qeveritë dhe sistemin financiar global.
Bëhet fjalë për “Claude Mythos”, i zhvilluar nga kompania Anthropic, i cili sipas ekspertëve ka aftësi të avancuara për të zbuluar dobësi në sistemet kompjuterike.
Çështja është diskutuar në nivelet më të larta, përfshirë edhe takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington.
Ministri kanadez i Financave e cilësoi situatën serioze, duke theksuar se rreziku që paraqet kjo teknologji është ende i panjohur dhe kërkon vëmendje të menjëhershme.
Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, modeli është në gjendje të identifikojë dhe potencialisht të shfrytëzojë dobësi në sisteme të pambrojtura, çka mund të rrisë rrezikun për sulme kibernetike.
Megjithatë, disa specialistë bëjnë thirrje për kujdes, duke theksuar se modeli ende nuk është testuar gjerësisht dhe aftësitë e tij reale mbeten për t’u verifikuar.
Instituti i Sigurisë së Inteligjencës Artificiale në Mbretërinë e Bashkuar, që ka analizuar një version paraprak, konfirmon se bëhet fjalë për një mjet të fuqishëm, por jo domosdoshmërisht më i avancuar se modelet e mëparshme.
Ndërkohë, bankat kryesore dhe institucionet financiare pritet të kenë akses të hershëm në këtë teknologji, për të testuar dhe forcuar mbrojtjen e sistemeve të tyre.
Drejtues të bankave ndërkombëtare paralajmërojnë se bota financiare po hyn në një epokë të re, ku teknologjia sjell njëkohësisht mundësi dhe rreziqe.
Edhe autoritetet amerikane kanë nisur të bashkëpunojnë me bankat për të analizuar ndikimin e mundshëm të këtij modeli përpara se ai të dalë në përdorim të gjerë.
Ekspertët theksojnë se kjo mund të jetë vetëm fillimi, pasi modele edhe më të fuqishme pritet të zhvillohen në të ardhmen.
Sfida kryesore mbetet e njëjtë: të përdoret inteligjenca artificiale për të zbuluar dobësitë, përpara se ato të shfrytëzohen nga aktorë keqdashës.
