Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 09:30 në autostradën Lushnjë–Fier, në afërsi të fshatit Bishqethëm, ku janë përplasur dy automjete. Sipas të dhënave paraprake, një mjet tip “Opel” me targa greke është goditur nga pas nga një fuoristradë, duke dalë nga rruga dhe përfunduar në kanalin anësor.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i mjetit me targa greke, rreth 40 vjeç, emigrant i kthyer nga Greqia, është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës. Burime nga mjekët bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Nga aksidenti janë shkaktuar gjithashtu dëme materiale, kryesisht në fuoristradë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e ambulancës dhe forcat e policisë rrugore, të cilat kanë menaxhuar situatën dhe kanë nisur hetimet. Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak është bërë mosrespektimi i distancës së sigurisë nga drejtuesi i fuoristradës. Në momentin e përplasjes, mjeti me targa greke kishte sinjalizuar kthimin për të dalë në një rrugë dytësore.
Ky segment rrugor vijon të konsiderohet problematik për shkak të numrit të lartë të aksidenteve, duke ngritur shqetësime për sigurinë e qarkullimit dhe nevojën për masa më të rrepta parandaluese.
