Regjimi ushqimor mesdhetar është më i miri në botë për të shtatin vit radhazi. Kriteret e vlerësimit të revistës amerikane “News & World Report” bazohen mbi tre faktorë, ku renditen shija më e mirë, më e shëndetshmja, por edhe me e vlefshmja për planetin. Regjimi ushqimor mesdhetar ka një ekuilibër mjaft të mirë mes të gjithë vlerave ushqimore dhe konsiderohet një stil i vertetë jetese. Gjithashtu, ka benefite në përmirësimin e shëndetit, pasi ndihmon ata që vuajnë nga diabeti, bën mirë për kockat dhe për zemrën.
Studime të shumta kanë zbuluar se dieta mesdhetare mund të zvogëlojë rrezikun e diabetit, kolesterolit të lartë, demencës, humbjes së kujtesës, depresionit dhe kancerit të gjirit. Dieta mesdhetare është më shumë një stil jetese sesa një dietë e mirëfilltë. Kjo dietë përmban gatime të thjeshta, me bazë bimore, me fruta dhe perime, drithëra, fasule dhe fara. Element i rëndësishëm është vaji i ullirit ekstra i virgjër. Yndyrnat e tjera përveç vajit të ullirit, si gjalpi, konsumohen rrallë.
Mishi i kuq përdoret me masë, zakonisht vetëm për të shijuar një pjatë. Ngrënia e peshkut të shëndetshëm, i cili është i pasur me acide yndyrore omega 3, inkurajohet, ndërsa vezët, qumështi dhe shpendët hahen në porcione shumë më të vogla sesa në dietën tradicionale perëndimore.
Gjithashtu është e këshilluar nga shkencëtarët e gjithë botës në mënyrë unanime, se ndikon në shëndet të mirë dhe në mënyrë të thjeshtë, pasi është edhe regjimi ushqimor që nuk privon njeriun nga asnjë lloj ushqimi.
