Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përcjellë një mesazh urimi për festat e 28 dhe 29 Nëntorit, Ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit.
Përmes një reagimi, Veliaj shprehet se do të dëshironte të ishte edhe këtë vit në Sheshin Skënderbej për të ngritur Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
Ai thekson se liria nuk është dhuratë, por është fituar me gjak dhe sakrifica, ndërsa nënvizon rëndësinë e mbrojtjes së saj dhe të drejtësisë.
Veliaj e mbyll mesazhin duke kujtuar amanetin e të parëve për ndërtimin e një Shqipërie ku fëmijët të jetojnë të lirë dhe krenarë për identitetin e tyre kombëtar.
Erion Veliaj: Gëzuar festat e 28-29 Nëntorit!
Do të doja shumë që edhe këtë nëntor të isha në Sheshin Skënderbej, për të ngritur lart Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur. Ajo është fituar me gjak, është mbrojtur me sakrifica dhe duhet ruajtur me guxim e dinjitet.
Amaneti i të parëve tanë nderohet duke mbrojtur lirinë dhe drejtësinë e duke ndërtuar një Shqipëri ku fëmijët tanë të jetojnë të lirë dhe krenarë që janë shqiptarë.
Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të atdheut!
Gëzuar Pavarësinë! Gëzuar Çlirimin!




