Segmenti rrugor që lidh qytetin e Lushnjës me njësinë administrative Ballagat dhe me qytetin e Peqinit, prej rreth dy dekadash nuk njeh rikonstruksion. Aksi, me një gjatësi prej 15 kilometrash, paraqitet në gjendje të amortizuar në të gjithë gjatësinë e tij, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.
Gropat e shumta, çarjet dhe dëmtimi i plotë i shtresës asfaltike janë të pranishme përgjatë gjithë këtij segmenti. Problematikat shtohen edhe nga mungesa e sinjalistikës rrugore, ku përveç disa tabelave orientuese, nuk ka elementë të tjerë që garantojnë sigurinë e qarkullimit.
Në këtë aks mungojnë gjithashtu bordurat mbrojtëse në disa prej urave, ndërsa në zona të caktuara rrëshqitjet e trasesë e bëjnë kalimin veçanërisht të vështirë për automjetet e ulëta. Gërryerja e asfaltit në të dyja anët ka sjellë edhe ngushtimin e karrexhatës.
Drejtuesit e mjeteve që përdorin çdo ditë këtë rrugë thonë se gjendja e saj jo vetëm po shkakton dëmtime të automjeteve, por përbën edhe rrezik për jetën e përdoruesve të saj. Në disa pika problematike nuk kanë munguar as aksidentet.
Nga ana tjetër, Bashkia e Lushnjës nuk ka mundësi financiare për të përballuar rikonstruksionin e plotë të këtij aksi. Ndër vite, ndërhyrjet janë kufizuar kryesisht në arnime të pjesshme, të cilat edhe këtë vit kanë munguar, ndërkohë që po hyjmë në sezonin dimëror.
Bashkia e Lushnjës ka paraqitur pranë ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën projekte për rikonstruksionin e këtij segmenti, por deri më tani nuk ka një përgjigje pozitive për financimin e tij.
Rruga Lushnjë–Ballagat–Peqin mbetet kështu në pritje të një ndërhyrjeje të plotë, ndërsa banorët dhe drejtuesit e mjeteve vijojnë të përballen çdo ditë me vështirësitë dhe rreziqet e qarkullimit.
